Secondary Adv

Kaos në qiell, anulohen 18 mijë fluturime, çmimet e biletave arrijnë rekord

Çmimet e biletave ajrore rriten ndjeshëm ndërsa hapësira ajrore e Gjirit mbetet e mbyllur dhe kompanitë kërkojnë itinerare alternative.

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar një krizë të re në transportin ajror global, vetëm pak ditë pas nisjes së sulmeve ndaj Iranit nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Konflikti ka bërë që hapësira ajrore e disa vendeve të rajonit të mbyllet, duke çuar në anulimin e rreth 18 mijë fluturimeve që nga 28 shkurti, sipas të dhënave të kompanisë së analizës së aviacionit Cirium.

 

Kjo shifër përfaqëson rreth 54 për qind të fluturimeve të planifikuara nga dhe drejt Lindjes së Mesme. Aeroportet kryesore të rajonit, përfshirë Dubain, Katarin, Abu Dabin dhe Libanin, janë bërë pothuajse të paarritshme, ndërsa shumë kompani ajrore po kryejnë vetëm fluturime speciale për evakuimin e pasagjerëve.

 

Anulime në aeroportet europiane

Pasojat janë ndjerë edhe në Europë. Në aeroportin Fiumicino të Romës janë anuluar 106 fluturime mes nisjeve dhe mbërritjeve nga 28 shkurti deri më 3 mars, nga rreth 800 fluturime të planifikuara në total. Vetëm gjatë një dite janë raportuar 12 anulime. Ndërkohë në aeroportin Milano Malpensa janë anuluar rreth 85 fluturime në të njëjtën periudhë.

 

Disa kompani ajrore kanë organizuar fluturime të posaçme riatdhesimi për pasagjerët e bllokuar, ndërsa linjat e zakonshme mbeten të pezulluara për shkak të rreziqeve në hapësirën ajrore.

 

Biletat arrijnë nivele rekord

Mbyllja e aeroporteve kryesore të Gjirit dhe devijimi i fluturimeve drejt itinerareve alternative ka çuar në rritje të fortë të çmimeve të biletave, veçanërisht në linjat mes Azisë dhe Europës. Kompanitë ajrore po detyrohen të zgjedhin rrugë më të gjata për të shmangur zonat e konfliktit, duke rritur konsumin e karburantit dhe kostot operative.

 

Për shembull, kompania australiane Qantas po ofron fluturime urgjente nga Sidnei drejt Londrës përmes Los Anxhelosit ose Kejp Taunit, në vend të itinerarit tradicional përmes Singaporit. Çmimi i një bilete në klasë ekonomike arrin rreth 2,500 euro.

 

Në disa linja të njohura si Bangkok–Londër apo Hong Kong–Londër, fluturimet janë plotësisht të rezervuara për disa ditë, duke reflektuar kërkesën e lartë dhe kapacitetin e kufizuar.

 

Kompanitë e Gjirit më të goditurat

Kompanitë ajrore me bazë në Gjirin Persik po përballen me ndikimin më të madh. Emirates ka anuluar rreth 2,000 fluturime që nga fillimi i konfliktit, ndërsa hapësira ajrore pritet të mbetet e mbyllur për disa ditë. Situatë e ngjashme është edhe për Etihad, Air Arabia, Oman Air dhe Qatar Airways, të cilat aktualisht po operojnë kryesisht fluturime riatdhesimi.

 

Në të kundërt, kompani që operojnë nga qendra alternative jashtë rajonit të prekur, si Cathay Pacific, Singapore Airlines dhe Turkish Airlines, po përfitojnë përkohësisht nga rritja e kërkesës, duke ofruar alternativa për udhëtimet mes Azisë dhe Europës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat